Raportohet se Yevgeny Prigozhin, shefi i grupit mercenar Wagner, ndodhet në Shën Petersburg, aty ku është duke u mbajtur samiti Rusi-Afrikë.
Vendndodhja e Progozhit, i cili e udhëhoqi një kryengritje jetëshkurtër në Rusi muajin e kaluar, nuk dihej kohëve të fundit.
Bashkëpunëtori i Progozhinit, Dmitry Syty, i cili është kryetar i Qendrës Kulturore të Rusisë në Republikën Qendrore të Afrikës (RQA), e publikoi në rrjetin social Telegram një fotografi me përfaqësuesit e RQA-së më 27 korrik, për të cilën thotë se ishte bërë në takim.
Fontanka raporton se fotografia ishte bërë në Hotelin Trezine, i cili është në pronësi të familjes së Prigozhinit.
Megjithëse vendndodhja e Prigozhinit ka qenë mister muajin e fundit, besohet se ai lëviz mes Rusisë dhe Bjellorusisë.
Besohet se 3.450 deri në 3.650 ushtarë të grupit Wagner kanë shkuar në një kamp afër Asipoviçi në Bjellorusi, një qytet 230 kilometra në veri të kufirit ukrainas, sipas Belaruski Hajun, grupit i cili i gjurmon lëvizjet e trupave ushtarake brenda vendit.
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i mirëpriti forcat e Wagner-it në vendin e tij, pasi e kishte ndërmjetësuar një marrëveshje mes Kremlinit dhe Prigozhinit në qershor, duke i dhënë fund rebelimit të dështuar të grupit kundër liderëve të ushtrisë ruse.
Prigozhini e ka regjistruar një “kompani për menaxhimin e patundshmërisë” në Bjellorusi javën e kaluar me emër Concord Management and Consulting.
Dokumentet e analizuara nga mediumi i pavarur bjellorus reform.by, tregojnë se kompania është regjistruar në adresën e njëjtë të fshatit ku është i vendosur kampi mercenar Wagner. /REL/