Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka takuar udhëheqësit, pronarët dhe themeluesit e 100 bizneseve më të mëdha në vend.
Pas këtij takimi, ai ka shkruar një status në llogarinë e tij në Facebook, ku ka bërë të ditur se së shpejti do ketë një platformë të detajuar mbi çdo hap që Kosova duhet të marrë.
“Takova sonte udhëheqësit, pronarët e themeluesit e 100 bizneseve më të mëdha në vend. Janë taksapaguesit e punëdhënësit më të mëdhenj në shtet. Kolektivisht kontribuojnë në 80% të ekonomisë së vendit tonë – dhe kjo flet mjaftë për këta patriotë modern”, ka shkruar ai.
Sipas tij, pjesëmarrja e lartë e tyre në këtë takim përveç se vlerë dhe nder, ishte shenjë e përgjegjësisë që ‘Rruga e re’ çdo ditë po merr”.
“U bashkuam sonte, si pjesë e platformës diskutuese ‘Rruga e re’ për të folur hapur mbi gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike në vend; mbi sulmet e paprecedneta e kërcënimet e pakuptimta të politikës ndaj njerëzve që krijojnë vlerë, punësim e zhvillim”, ka shtuar ai.
“Vullneti ynë është i paepur, ndërsa ‘Rruga e re’ po merr formë çdo ditë. Së shpejti me platformë të detajuar mbi çdo hap që vendi ynë duhet të merr”, ka shkruar në fund i pari i LDK-së.