Pep Guardiola supozon se ai nuk mund të bënte asgjë për të parandaluar largimin e Riyad Mahrez, anësorit algjerian që sapo ka shkëmbyer kampionët e Anglisë dhe Europës, Manchester City për një propozim tërheqës nga Al Ahli.
“Arabia Saudite ndryshoi tregun. Disa muaj më parë, kur Cristiano Ronaldo ishte i vetmi, askush nuk mendonte se kaq shumë lojtarë të kualitetit botëror mund të shkonin në Ligën e Arabisë Saudite. Do të ketë më shumë në të ardhmen dhe kjo është arsyeja pse klubet duhet të jenë të vetëdijshme për atë që po ndodh. Mahrez mori një propozim të pabesueshëm dhe nuk mund t’i kërkoje që të mos e pranonte”, tha trajneri spanjoll.
Guardiola thotë se ky është fillimi i një skenari që do jetë i vështirë për t’iu kundërpërgjigjur:
“Nuk është realisht një kërcënim, është realitet. Ata duan të krijojnë një ligë të fortë dhe deri më tani munden. Organizimi i Premier League është më i mirë se ligat e tjera, të ardhurat nga transmetimet dhe sponsorizimet janë më të larta, kështu që klubet mund të shpenzojnë më shumë. Nuk e di se sa kohë do të jetë e qëndrueshme liga arabe, por duket se ata janë këtu për të qëndruar. Lojtarët duan të jetojnë këtë eksperiencë dhe mund ta përballojnë atë”, përfundoi ai.