Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se është dezinformatë se kjo ministri ka importuar shtylla prej Serbisë për autostradën Prishtinë – Gjilan.
Aliu tha se ministria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të ndërhyjë apo të monitorojë e të ndalojë kompanitë private për lëndën e parë që ato e importojnë.
“Ministria mbikqyr konkursin, projektimin, punimet, cilësinë e realizimit dhe kohën, mirëpo Ministria as nuk e përcakton, e as nuk merr raportim e informim se prej nga vjen lënda e parë që e përdorin kompanitë private të kontraktuara. Ajo pjesë rregullohet vetëm nga ligjet dhe marrëveshjet në fuqi që tregojnë se cilat importe lejohen e cilat jo”.
“Po ashtu, si Ministri ne përcaktojmë specifikacionet teknike dhe dimensionet, por me ligj e kemi të ndaluar që të favorizojmë një produkt apo një prodhues”, tha Aliu.
Tutje, ai tha se ata nuk do të donin që furnizimi për lëndën e parë të bëhej nga Serbia për asnjë produkt.
“Prandaj, të gjitha pretendimet që fajësojnë Ministrinë për lëndën e parë që e përdor një kompani private, janë të pavërteta, dhe me tendencë për të dezinformuar dhe mashtruar opinionin publik”, tha ai.