Gjykata e Prishtinës ka anuluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave, KPM-së, me të cilin emisionit “Jeta në Kosovë” KPM i kishte shqiptuar vërejtje pas transmetimit të hulumtimit televiziv “Monopoli me dritë të diellit.”
Vendimi i padrejtë i KPM-së i nxjerrë në vitin 2020 u sfidua në gjykatë nga ekipi i juristëve të BIRN-it, ndërsa vendimi i gjykatës i nxjerrë para disa ditësh i ka dhënë të drejtë emisionit “Jeta në Kosovë”, duke konstatuar se raportimi ishte i faktuar dhe profesional duke hedhur poshtë të gjitha konstatimet e bëra nga anëtarët e KPM-së, si dhe nga Bordi i Ankesave të KPM-së.
BIRN i ishte përgjigjur ankesës së Devollit në KPM dhe vendimi në fjalë ishte rrëzuar në pjesën më të madhe të pikave nga Bordi i Ankesave në përbërje të Ylber Fetahaj – kryetar dhe anëtarëve Avdyl Hyseni dhe Ilaz Rudaku.
Mirëpo, në fund, Komisioni i Ankesave kishte vendosur që emisioni i BIRN-it kishte raportim të pasaktë dhe gjuhë denigruese.
Këta anëtarë të KPM-së vendosën ta përkrahin Blerim Devollin edhe pasi që u shfaq hulumtimi, Komisioni për Ndihmë Shtetërore i Kosovës e detyroi ZRrE-në ta ndalojë skemën e përfitimit të subvencioneve nga Blerim Devolli me kompanitë e regjistruara në Maltë, sepse kjo u vlerësua e paligjshme. Pas zbulimit të BIRN-it, shteti i Kosovës filloi hetimet për t’i ndalë skemat e tilla abuzive.
Duke e konsideruar ankesën e tillë të Devollit dhe vendimin e KPM-së një proces SLAPP (procese gjuqësore që kanë qëllim frikësimin e gazetarëve), BIRN para 3 viteve dorëzoi padi në Gjykatën e Prishtinës me kërkesë që të anulohet vendimi i KPM-së.
Beteja juridike 3-vjeçare është përfunduar gjatë kësaj jave, kur Gjykata e Prishtinës nxori aktgjykim me të cilin i dha të drejtë të plotë BIRN-it, duke konstatuar se vendimi i KPM-së ishte i pafaktuar dhe i pabazuar në ligj.
Rasti fillimisht ishte iniciuar përmes ankesës nga kompania e Blerim Devollit në Komisionin e Pavarur për Media. Vendimi i parë i këtij mekanizmi ishte se emisioni kishte kryer shumë shkelje përfshirë edhe nxitjen e urrejtjes.
Shprehjet “Baba Blerim Devolli” dhe “Nona Blerim Devolli” ishin përdorur në emision për të treguar se Blerim Devolli ishte “baba”, pronari i 6 kompanive që e fshehën pronësinë duke u regjistruar në fund në Maltë, me qëllim që të përfitojnë subvencione prej shtetit të Kosovës përkundër rregullës që e kufizonte që tarifa nxitëse mund të përfitonin projekte deri në 3 megavat, e jo siç ishte në rastin konkret kur një pronar përmes 6 kompanive, duke e fshehur pronësinë e vërtetë, të përfitonte tarifa nxitëse për 16.7 megavat. BIRN iu referua këtyre kompanive si kompani guaskë që “babë” dhe “nanë” e kishin Blerim Devollin. Edhe në anglisht, kompania bazë e kompanive guaskë, që regjistrohen në disa vende u referohet si “kompania amë” Devolli pretendoi se të quajturit “babë” e “nanë” është joetike.
Hulumtimi i gjatë dhe i detajuar i emisionit ‘Jeta në Kosovë’ i titulluar “Monopoli me dritë të diellit-ZRRE dhe Devolli “, ishte transmetuar më 30 prill 2020 në Radio Televizionin e Kosovës dhe kishte zbardhur skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do të kishin përfituar nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.
Shkrimi i plotë mund të lexohet këtu:
https://kallxo.com/lajm/jeta-ne-kosove-fiton-betejen-ne-gjykate-per-rastin-devolli/