Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur dje pasdite në fshatin Zgatar të Dragashit.
Sinjali mëson se fillimisht përleshja kishte filluar mes dy grupeve me nga dy persona, e më pas iu kishin bashkëngjitur edhe dy të dyshuar tjerë.
E përpos grushteve, gjatë përleshjes është përdorur edhe sprej, ku si pasojë tre persona kanë marrë lëndime trupore. Të dyshuarve u është ofruar tretman mjekësor, ndërkohë që të njëjtit kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me rastin.
Dy nga të dyshuarit tjerë janë larguar në drejtim të panjohur dhe të njëjtit janë në kërkim policor. Bazuar në dëshminë e dy prej të dyshuarve, i dyshuari nga grupi tjetër kishte ekspozuar edhe një armë zjarri.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë trupor’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.