Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Kështu ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në rrugën ‘Hoxhë Kadri Prishtina’ në Vushtrri, ku tre persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një zyrtar policor.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zyrtarët policorë kishin dalë në vendngjarje dhe të dyshuarve u kishin kërkuar dokumentet identifikuese. Mirëpo, të njëjtit kanë refuzuar që t’u binden urdhrave të policisë dhe 26-vjeçari dyshohet të ketë eskaluar në sulm fizik, duke goditur me grusht policin.
Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, teksa zyrtari policor është dërguar me urgjencë në spital, ku pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ka pësuar frakturë në gisht.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.