Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje për vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Pogragjë, ku një 53-vjeçar dyshohet se me armë zjarri e privoi nga jeta djalin e tij 29-vjeçar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur dje, rreth orës 19:20, kur Policia e Kosovës e ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për ngjarjen e rëndë.
I dyshuari R.A., 53 vjeç, dyshohet se për motive ende të panjohura ka vrarë djalin e tij, B.A., 29 vjeç.
“Rreth orës 19:20 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Pogragjë, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë, nën dyshimin se i dyshuari R.A (53 vjeç) nga fshati Pogragjë, Komuna e Gjilanit, për motive akoma të pa njohura, me armë ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin B.A (29 vjeç)”, thuhet në njoftimin r Prokurorisë.
Pas kryerjes së veprës, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht gjendet në arrati.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet përkatëse të Policisë së Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.
Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë sekuestruar tri pushkë gjuetie, të cilat kishin leje me afat të skaduar.
Ndërkohë, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për kryerjen e autopsisë së trupit të pajetë të viktimës.
Prokuroria ka bërë të ditur se as i dyshuari dhe as viktima nuk kanë pasur të kaluar kriminale dhe se nuk ka pasur raste të raportuara të dhunës në familje mes tyre.
Rasti po hetohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës, ndërsa hetimet do të vazhdojnë me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.
I dyshuari po hetohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
