Prej kur ka nisur edicioni i 22-të i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” që mbahet në Prizren, Policia po zhvillon plan operativ, për të ofruar siguri dhe për të zbuluar veprimtaritë e kundërligjshme.
Para disa ditësh mësohet se ka pasur një incident me punëtorët e sigurimit, teksa mbrëmë janë kapur dy persona të dyshuar për shitblerje të drogës.
Gjatë patrullimit të Policisë në atë pjesë, janë ndaluar dy të rinj, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Pas kontrollit nga ana e zyrtarëve policorë, te të dyshuarit, njëri 24-vjeçar, e tjetri 22, janë gjetur rreth 1 mijë euro para të gatshme, një sasi e kokainës dhe një sasi e substancës narkotike, MDA cristal. Provat e gjetura janë sekuestruar bashkë me automjetin e të dyshuarve.
Dy të dyshuarit e kanë pranuar para Policisë se kanë bërë shitblerjen dhe shpërndarjen e drogës dhe më pas janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar, njofton Sinjali.
Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tyre për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.