Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka dënuar sulmin ndaj ekipit të Gazetës Nacionale në Prizren.
AGK-ja përmes një postimi në Facebook ka thënë se gazetari, Vullnet Krasniqi dhe kameramani Arbër Latifi janë sulmuar dhe shtyrë fizikisht nga një pjesë e turmës protestuese derisa po kryenin punën e tyre.
“Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve”, thuhet në reagim.
Asociacioni i Gazetarëve ka kërkuar nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre me drejtësinë.
Reagimi i plotë:
AGK-ja e dënon sulmin fizik ndaj ekipit të Nacionales në Prizren
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, është i tronditur me sulmin ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në Prizren.
Krasniqi dhe Latifi ishin atje për të raportuar për protestën e thirur nga imamët lokalë kundër festivalit “Dokufest”.
Sipas raportimeve të medies, ata janë sulmuar dhe shtyrë fizikisht nga një pjesë e turmës protestuese derisa po kryenin punën e tyre.
Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve.
AGK-ja, kërkon nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë.