Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë. E arsyet e konflikteve janë të ndryshme, duke përfshirë dyshimet për tradhti, abuzimi me alkool, substanca narkotike e bixhoz.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundi edhe një grua nga fshati Qyshk i Pejës, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë.
Sinjali mëson se i dyshuari kishte shkuar në shtëpi në gjendje të dehur dhe pas një konflikti me bashkëshorten, e ka sulmuar fizikisht dhe më pas është larguar nga shtëpia.
Si rezultat i denoncimit, 54-vjeçari është ftuar të paraqitet në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.