Presidenti Agim Ademi u takua sot me sekretaren e përgjithshme të FIFA-s, Fatma Samoura, në Sydney, përpara fillimit të Konventës së FIFA-s. Në takim u diskutua në veçanti për zhvillimin e futbollit të femrave. Presidenti Ademi përgëzoi FIFA-n për organizimin e shkëlqyeshëm të Kupës së Botës për femra në Zelandë dhe Australi dhe vlerësoi përkrahjen që kjo organizatë ka dhënë për avancimin e futbollit të femrave në nivel global.
Në këtë takim, kreu i FFK-së e njoftoi sekretaren Samoura me projektet e suksesshme të zhvilluara në Kosovë për promovimin dhe rritjen e cilësisë së futbollit të femrave.
Ndërkohë, në Konventën e FIFA-s krahas presidentit Ademi, në cilësi të delegarëve po marrin pjesë edhe Taulant Hodaj dhe Sanije Krasniqi. Kjo ngjarje shërben si platformë për të diskutuar dhe shkëmbyer idetë për të avancuar më tej futbollin e femrave në nivel ndërkombëtar.