Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas bastisjeve dhe arrestimeve të sotme në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe në restorantin “Bukë e Zemër”.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu është shprehur se motoja e LVV-së “e dokumentuar me fakte korruptive e spiunazha për krerët e UÇK-së, është ‘Bukë e Zemër e Drogë’”.
“Bukë e Zemër e Drogë – kjo është motoja e LVV-së e dokumentuar me fakte korruptive, dallavere e shpiunazha për krerët e UÇK-së. LVV paska qenë nën ndikimin e drogës, ekstazisë që nga themelimi, po tek tash po kuptohen veprat e saj të shëmtuara në dëmtim të shtetit. Hajnat në burg! Boll e mashtruat popullin me kauza të rrejshme për veriun. Ju dolën dallaveret edhe nga ai ashensori i fshehtë i sekserit të Kurtit, Ridit. Hajde Ridi shprehu, trego kush është Albini”, deklaroi Haxhiu.
Policia e Kosovës sot ka zhvilluar aksione në MINT dhe në restorantin “Bukë e Zemër”. Në ministri janë arrestuar 2 zyrtarë ndërsa është arrestuar edhe pronari i restorantit “Bukë e Zemër”, Ridvan Muharremi.
Aksioni ka të bëjë me aferën e rezervave shtetërore, “vaj dhe grurë”.