Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, i ka hedhur poshtë akuzat për pastrimin e parave, duke thënë se ai nuk e ka bërë asnjë shkelje të ligjit kundër pastrimit të parave.
Mediat italiane raportuan së fundmi se Allegri është nën hetime për shkeljen e ligjit kundër pastrimit të parave. Hetimi ka të bëjë, sipas gazetave italiane, me shpenzimet e trajnerit italian në dy kazino jashtë shtetit në vlerë prej 350 mijë eurove.
Gazeta La Verita shkruan se blerje të tjera të bëra me kredit kartelë e arritën shifrën e gati 500 mijë eurove nga korriku i vitit 2018 deri në gushtin e vitit 2019. Allegri reagoi ndaj këtij lajmi me një komunikatë për media, ku i mohoi akuzat.
“Në lidhje me lajmin e publikuar për mua sot, unë deklarohem fuqishëm se nuk kam të bëjë asgjë me aktivitete të jashtëligjshme dhe, për më tepër, as me ndonjë shkelje të ligjit kundër pastrimit të parave”, ka thënë Allegri.