Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës ku janë bastisur zyrat e Ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë (MINT) dhe shtëpia e restoranti i Ridvan Muharremit.
Sipas Haxhiut, bastisjet dje u zhvilluan në objektin që kryeministri Albin Kurti e ka vendqëndrim për takime e sekrete.
“Albin Kurti në panik! I frikësuar nga arrestimi i bashkëpunëtorëve të tij ka zgjedh t’i sulmoj institucionet e zbatimit të ligjit, mediat dhe opozitën”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ai shton se votuesit e tij të dëshpëruar me çfarë po ndodh, nuk po mund ta besojnë që Kurti po i mbron hajnat e rezervës shtetërore, hajnat e energjisë, hajnat e barnave në shëndetësi, dhe hesht për asamblistin e tij narkoman.
“Bastisjet dje u zhvilluan në objektin që Albin Kurti e ka vend qëndrim për takimet e tij sekrete, me lift special zbret dhe takon njerëz që veç Ridi e din më mirë për ato takime”, ka thënë ai.
“Ridi tash në burg, prandaj Albin Kurti para se t’i sulmoj të tjerët duhet të sqarohet jo vetëm për përmbajtjen e takimit të tij me Lajçakun në lokalin “Bukë e Zemër” por për lidhjen dhe afërsinë e tij me Ridin”, ka shtuar Haxhiu.
Sipas tij, nuk kanë faj as opozita as mediet e as prokuroria pse Albin Kurti i ka “hajna e drogaxhinj bashkëpunëtorët e arrestuar në Kosovë e Shqipëri”.
“Tash e krijon ndonjë kauzë, në Veri apo Maqedoni me ua trullosë mendjen e lehtë votuesve, ua lexon ndonjë poezi, del e thotë ndonjë frazë a thënie filozofike e mendon që populli është dele e i beson sërish rrenat e tij”, ka përfunduar deputeti i PDK-së.