Nënkampionia e Kosovës, Drita ka njoftuar se ka arritur transferimin e parë këtë vit. Bëhet fjalë për mbrojtësin e krahut, Përparim Islamin i cili ka zgjedhur të vazhdojë karrierën te klubi bardhekaltër.
Njoftimi është bërë në faqen e klubit gjilanas. Ish-kampionia e Kosovës ka siguruar shërbimet e “Rrukit” për tri vitet e ardhshme.
FC Drita shkroi se Islami pati shumë oferta, por nga të gjitha ato zgjodhi klubin nga Anamorava. Ai do të jetë një ndihmë shtesë për klubin në kampionat dhe në Conference League, ndeshjet të cilat zhvillohen në muajin korrik.
Kujtojmë se Islami ishte i lënduar për një kohë të gjatë pasi dëmtoi ligamentet dhe u rikthye në fushën e blertë në fillim të këtij viti. Përparim Islami në të kaluarën ka qenë pjesë e disa klubeve kosovare, kurse së fundmi ishte pjesë e KF Feronikelit.