Mungesa e infrastrukturës, transportit e ekonomia e dobët është bërë shkas që të boshatisen fshatrat që janë të banuara me shqiptarë në Zveçan.
Në objektet shkollore të tri fshatrave, numri i nxënësve është fare i ulët. E, prindërit ankohen se problem shtesë për ta këtë vit është sigurimi i teksteve shkollore.
Lëvizjet janë të pakta, ndonëse kjo rrugë të dërgon në tri fshatra me banorë shqiptarë në Komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë nga serbët.
Infrastruktura e dobët e po ashtu zhvillimet politike në këtë vend vlerësohet të jenë shkaktarë që kjo pjesë e vendit të mbetet pothuajse e heshtur.
Lëvizjet në fshatrat Lipë, Boletin e Zhazhë shtohen pak më shumë nga shtatori kur nxënësit u rikthehen mësimit pas pushimeve. Por, efektet e boshatisjes së fshatrave vërehen edhe në objektet shkollore.
Gjendja e njëjtë me numrin e nxënësve është pothuajse edhe në fshatin Lipë, që është paralele e ndarë e shkollës fillore “Isa Boletini”.
Si mos të mjaftonin problemet ekonomike dhe ato politike, prindërve të atyre pak fëmijëve sivjet u është shtuar edhe një barrë.
Sigurimi i librave po del të jetë vështirë i përballueshëm për Venera Pecin nga fshati Zhazhë, pavarësisht se shteti do t’i subvencionojë ato.
“Unë i kam tre fëmijë, në klasën e pestë, të katërt edhe në të dytën. Me punua nuk punojna kurrkun, po çka me ba, duhet me i ble. Kam aplikua po po presim mos po na i kompensojnë”, shprehet ajo.
Zhgënjimi vërehet pothuajse në çdo fytyrë të banorëve që kanë mbetur këtu.
E ata që tashmë janë larguar nga kjo pjesë, thonë se kanë dhimbje për këtë gjendje.
“Shteti ish dashtë me intervenua këtu. S’ka kurrgjë këtu, shumë po më pengon ama s’ka kurrfarë të ardhnash, nuk ka kurrgjë. Janë mbetë nja 10 ose 15 shtëpi, s’ka ma shumë këtu”, ka thënë mërgimtari, Skender Peci.
Për herë të parë që nga paslufta, këtë komunë veriore nga 25 maji e udhëheq një kryetar shqiptar, Ilir Peci. /Dukagjini