Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), njofton se bazë të informatave të pranuara nga komunat, gjatë ditës së sotme, procesi edukativo-arsimor ka filluar në 658 institucione, ashtu siç është përcaktuar me Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit Shkollor 2023-2024.
Mirëpo në disa shkolla për arsye objektive MASHTI thotë se nuk ka mundur të fillojë viti i ri shkollor.
“Sipas raportimeve të komunave, procesi mësimor nuk ka filluar në tetëmbëdhjetë (18) institucione arsimore të cilat kanë qenë në proces të renovimit”.
MASHTI shton tutje se në shumicën prej këtyre institucioneve punimet do të përfundojnë deri më 4 shtator dhe do të nis procesi i rregullt mësimor.
MASHTI ka dhënë detaje edhe për procesin e subvencionimit të prindërve të nxënësve për tekste e materiale tjera shkollore.
“Sa i përket pagesës për furnizim me tekste shkollore, për të gjithë ata që kanë aplikuar deri më 29 gusht në ora 16:00, ekzekutimi i mjeteve nga ana e MAShTI-t (respektivisht nga Thesari) ka përfunduar të enjten. Fillimisht janë ekzekutuar 30 euro për materiale mësimore e më pas 50 euro për tekste shkollore”.
“Nga sot ka vazhduar ekzekutimi i mjeteve për ata që kanë aplikuar pas datës 29 gusht. Numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është 133.500”, shton MASHTI.
Ministria e Arsimit thotë se aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator në mënyrë që që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore.
“Çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve”, thuhet tutje në njoftimin e MASHTI-t