Haga transferon në Beograd kriminelin serb të luftës Franko Simatoviq, ai pritet të dëshmojë për rastin Panda në Pejë

Haga transferon në Beograd kriminelin serb të luftës Franko Simatoviq, ai pritet të dëshmojë për rastin Panda në Pejë

Ish-komandanti i Njësisë së Operacioneve Speciale të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Franko Simatoviq, ka arritur sot në Beograd, ku është transferuar nga Haga për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore.

Studio ligjore që ka mbrojtur 73-vjeçarin ka bërë të ditur se ai ka arritur sot në Serbi për shkak të shëndetit të dobët ndërsa shteti serb ka dhënë garanci për lirimin e tij.

Këto garanci përfshijnë se, nëse ai shkel ndonjë nga kushtet në të cilat u lirua përkohësisht, Serbia do ta arrestojë dhe do ta ekstradojë përsëri në Tribunal për të vuajtur dënimin, raporton klix.ba.

Kujtojmë se Simatoviq është dënuar me 15 vjet burg për krime lufte në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci nga Tribunali i Hagës.

Më 31 maj të këtij viti, Mekanizmi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare e shpalli Simatoviqin, së bashku me Jovica Stanishiqin, fajtorë për ndërmarrje të përbashkët kriminale në shtatë komuna në Bosnje dhe Hercegovinë.

Simatoviq dhe Stanishiq u dënuan për krime në Bijeljina, Zvornik, Doboj, Trnovo, Bosanski Samac dhe Sanski Most me vendim të shkallës së dytë dhe të formës së prerë.

Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se lirimi i Simatoviqit dhe ardhja e tij në Beograd janë të rëndësishme edhe sa i përket një segmenti tjetër.

Gjegjësisht, sipas portalit Danas.rs, Simatoviq do të dëshmojë në rastin “Panda”, i cili ka të bëjë me vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në një restorant në Pejë.

Masakra ka ndodhur më 14 dhjetor të vitit 1998 dhe ende nuk është zbardhur. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë disa herë se vrasja nuk është bërë nga shqiptarët dhe se opinioni do të habitet kur të zbulohen autorët.

Related Articles