Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu, ka njoftuar se banorët e komunës së Bujanocit i kanë bërë thirrje Ministrisë së Brendshme të Serbisë që të respektojnë Kushtetutën për punësimin në organet shtetërore, pasi konsiderojnë se diskriminimi në këtë fushë ka prekur kufijtë e racizmit.
Përmes një aksioni simbolik para Stacionit të Policisë, ata kanë kërkuar që të merret parasysh neni 77 i Kushtetutës të Serbisë për punësimin në organet shtetërore, sipas së cilit “duhet të merret parasysh përfaqësimi proporcional i pakicave nacionale”.
“Numri i policëve shqiptarë është tejet i vogël, madje shumë prej tyre janë afër pensionit.
As edhe një polic i pranuar në vitet e fundit nga komuniteti shqiptar.
I bëjmë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që ta kenë vëmendjen tek gjendja e shqiptarëve në Serbi, sepse diskriminimini ka prekur kufinjtë e racizmit”, shkroi Lutfiu.