Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Kosova po vazhdon të jetë nën sanksione prej partnerëve për shkak të Qeverisë Kurti.
Deputetja Bajrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me prapagandë.
“Nuk jemi në një situatë normale, sot bëhen 73 ditë që Kosova është nën sanksione prej partnerëve të cilët kanë ndihmuar shumë në ndërtimin e këtij shteti. Pa ndihmën e të cilëve shtet-formimi i Kosovës, pavarësia, njohja nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e të tjera njohjet e anëtarësimet, të gjitha këto nuk kanë qenë të mundshme”, theksoi ajo.
Deputetja shtoi më tej se ka degradim në secilën fushë, siç tha ajo, në shëndetësi, ekonomi dhe fusha tjera.
“Është vështirë me tregu se ku janë problemet kryesore pasi që komplet qeverisja është shndërruar në një problem jashtëzakonisht të madh. Kemi degradim të situatës në secilin rrafsh. Fakti që Kosova kaq vite pas shpalljes së pavarësisë është nën sanksione nga partnerët kryesorë tanë, unë besoj që sikur çdo gjë tjetër të lulëzonte d.m.th ky është një indikacion ku e ka katandisur Kosovën kjo qeveri”, tha mes tjerash ajo.
Bajrami deklaroi se LVV funksionon në bazë të sondazheve dhe se nuk ka ndonjë plan për qeverisjen e vendit.
“Kur je qeveri ki 51 %të votave dhe punon në bazë të sondazheve dhe jo planit që ki, atëherë e sjellë vendin në situata të tilla. Me propagandë po e mbajnë pushtetin. Kemi ngecje në drejtësi”, ka theksuar ajo.
Deputetja tha se njerëzit po refuzojnë të bashkëpunojnë më Lëvizjen Vetëvendosje.
“Një parti që fiton 51 % të votave, njerëzit po refuzojnë të bashkëpunojnë më LVV, kemi ndërhyrje flagrante në të gjitha institucionet, ka tendenca më kap prokurorinë”, shtoi tutje ajo për Telegrafin.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami gjatë emisionit ka folur edhe për ‘Rrugën e re të LDK-së’, plan programin e partisë për udhëheqjen e vendit si dhe për zgjedhjet e reja lokale.