Zyrtarët komunalë, duke përfshirë edhe pozita të larta shpesh kanë qenë cak i kërcënimeve e sulmeve nga persona e grupe të ndryshme dhe për pasojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën pasdite në Fushë Kosovë, ku një zyrtar i kësaj komune është rrahur brutalisht.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima është sulmuar nga dy persona në afërsi të komunës së Fushë Kosovës, të cilët e kanë rrahur, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për zyrtarin P. Zogjani, i cili është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po merr trajtim si pasojë e plagëve që ka pësuar në fytyrë.
Pasi rasti është denoncuar, njësitet policore janë aktivizuar për identifikimin e dy personave të dyshuar, të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes dhe tashmë ndodhen në arrati.
Lidhur me incidentin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërmarrjen e veprimeve hetimore për kapjen e të dyshuarve dhe zbardhjen e motivit të rastit.