Është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin A.S i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.
Kështu ka njoftuar Gjykata Themelore e Prishtinës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.S dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”,thuhet në njoftimin e gjykatës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka analizuar të gjitha arsyet mbi caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit A.S dhe ka vlerësuar se është përmbushur kriteri nga neni nenit 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si kusht i veçantë për caktimin e paraburgimit, ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, ndikimi në dëshmitarë si dhe pesha e rëndë e veprës penale, andaj konstatoi së masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”, vijon njoftimi.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kujtojmë se dy ditë më parë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën “Zahir Pajaziti” në Poduejvë u vra 30 vjeçari Valmir Breznica, i njohur me nofken “Dhia”. E plagosur mbeti edhe gruaja e tij e cila u dërgua për shërim në QKUK.