Beteja ligjore për pronën kontestuese rreth 3 hektarësh në Veternik po vazhdon. Prokuroria po kërkon urdhër ndalues përfundimtar në ketë pronë, por Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar këtë kërkesë. Kështu, Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e shkallës së parë, duke e kthyer për të tretën herë këtë çështje në rivendosje.
Pas hulumtimit të “Betimit për Drejtësi”më 25 gusht 2023, Afrim Gashi (i cili tani është në arrest shtëpiak), u arrestua nën dyshimin se përmes dokumenteve të falsifikuara dhe mashtrimit në bashkëkryerje me Ylber Hysenin i cili po hetohet dhe është në arrati, kanë tjetërsuar këtë pronë në vlerë rreth 10 milionë euro. Pronë kjo që pretendohet se iu është marrë palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku.
Prona në fjalë, tashmë ka kaluar te disa persona të cilët janë bërë bashkëpronarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e Apelit, përmes vendimit të marrë më 28 gusht 2023, për herën e tretë ka vlerësuar se vendimi i gjykatës së parë është kontradiktor me arsyetimin e atij vendimi dhe ka shkelje me dispozitat ligjore të KPPRK-së.
“Aktvendimi është kontradiktor me arsyetimin e aktvendimit, për faktin se në arsyetimin aktvendimit të ankimuar është konstatuar se kërkesa është refuzuar e pabazuar, ndërsa në rastin konkret gjykata e shkallës së parë nuk ka vendosur për bazueshmërinë e kërkesës por ka refuzuar për arsye formale duke konstatuar se kërkesa nuk i përmban të gjitha elementet të cilat kërkohen sipas KPRK-së”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Kolegji i Apelit, ka vlerësuar se aktvendimi i Themelores, nuk është arsyetuar fare ndërlidhur më bazën ligjore mbi të cilën është marrë aktvendimi, duke refuzuar kërkesën e Prokurorisë për urdhër ndalues përfundimtar.
Kështu, Apeli vlerëson se vendimi i shkallës së parë është i paqëndrueshëm dhe se duhet të anulohet duke e kthyer çështjen në rivendosje. Po ashtu, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake duhet t’i evitojë shkeljet e theksuara nga ana e Apelit.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në arsyetimin e vendimit të 19 qershorit 2023, për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë për urdhrin ndalues përfundimtar, kishte thënë se kërkesa e prokurorit të shtetit nuk është përpiluar në harmoni me nenin 261, par.1, nënpar 1.4 dhe 1.5 të KPP-së. Përkatësisht, prokurori i shtetit në kërkesën për urdhrin ndalues përfundimtar nuk ka cekur në detaje dhe në mënyrë të saktë se në emër të kujt janë të evidentuara këto prona, kush është pronar apo kush ka interes juridik në këto pasuri/paluajtshmëri.
Veç tjerash, në vendim thuhet së prokurori i shtetit nuk ka përmbushur detyrimin ligjor ashtu që gjykata e kishte kthyer në plotësim, duke kërkuar që kërkesa e prokurorit të shtetit për urdhrin ndalues t’iu dorëzohet palëve të treta të cilët kanë interes juridik në këtë pronë.
Fillimisht, kërkesa e palëve të dëmtuara Gursel e Nexhat Sadikut për sekuestrimin e pronës rreth tre hektarësh në Veternik, ku edhe po zhvillohen ndërtime, ishte refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por Apeli e kishte kthyer rastin në rivendosje, me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë nuk është i drejtë, pasi gabimisht janë aplikuar dispozitat ligjore ne rastin e refuzimit të kërkesës për urdhrin e masës së sigurisë,
Më pas, Themelorja sërish kishte refuzuar ankesën e palëve të dëmtuar, por që Gjykata e Apelit për herë të dytë e ktheu rastin në rivendosje, me arsyetimin se vendimi ishte kontradiktor.
E shkalla e parë, edhe një herë me vendimin e 19 qershorit 2023, refuzoi kërkesën për urdhrin ndalues për pronën në Veternik.
Prokuroria, me parashtresë iu kishte drejtuar gjykatës duke thënë se pas kërkesës për plotësim, më 25 maj 2023 kanë dërguar te palët këtë kërkesë, duke ia bashkëngjitur gjykatës në kopje edhe regjistrin.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, thotë se gjatë hetimeve kanë siguruar provat materiale, siç është dokumenti “Resenje Broj” i vitit 1961 i cili dyshohet se është i falsifikuar, konkretisht nënshkrimi i dhënë në atë dokument nuk është i Milorad Filipoviq, përmes të cilit dokument tashme e ndjera Z.H, nëna e Ylber Hysenit, kishte fituar të drejtën e kësaj prone. Po ashtu, thuhet se është konstatuar se edhe që vula në ketë dokument nuk i përket institucionit nga i cili është lëshuar dokumenti dhe këto janë vërtetuar nga ekspertizat.
Ndryshe, kjo pronë, dyshohet se iu është marrë familjes Sadiku përmes manipulimeve dhe dokumenteve të falsifikuara, për çka tashmë janë hapur hetime ndaj të dyshuarit Ylber Hyseni, i gjendet në arrati dhe gjykata ka lëshuar urdhërarrest për të.
Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Mashtrimi”, për çka edhe po kërkohet sekuestrimi i pronës së paluajtshme.
Për këtë rast “Betimi për Drejtësi” ka hulumtuar dhe ka mbajtur një debat në emisionin Tempus. Përmes këtij hulumtimi, tregohej se si Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, për të njëjtat parcela kishte zhvilluar disa procedura gjyqësore në të njëjtën kohë dhe për lëndën e Nexhat e Gursel Sadikut kishte vendosur pas 7 vjetësh, ndërsa në rastin e Z.H vetëm për 9 muaj, duke e bërë edhe pronare të këtyre parcelave.
Familja Sadiku kishte thënë se kjo pronë është e tyre për gati një shekull dhe se përmes ekspertizave kanë gjetur se dokumentet me të cilat Z.H. i kishte kaluar në emër të saj janë të falsifikuara dhe se përmes vendimeve të kundërligjshme atyre u janë marrë rreth 3 hektarë tokë në Veternik, vlera e të cilëve kapë shifra të mëdha. Sipas tyre, të përfshirë në këto dallavere janë zyrtarë e persona me ndikim, duke përfshirë gjykatës, prokurorë, policë, avokatë si dhe zyrtarë të tjerë.