Ministria e Arsimit, të mërkurën ka marrë vendim të shfuqizojë akt-emërimin e Fatmir Sfishtës në pozitën e Drejtorit të përgjithshëm të Qendrës së Studentëve.
Sipas arsyetimit, në vendim thuhet se Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në opinionin ligjor ka gjetje se emërimi i Sfishtës me afat të pakufizuar në vitin 2012 ka shkelje të dispozitave ligjore.
“Me datën 01.08.2023 DMZP, ka dhënë opinion ligjor përmes shkresës me nr.860, me të cilin ka konstatuar se Akt emërimi i dt.21.06.2012, i z. Fatmir Sfishta në pozitën e Drejtorit të përgjithshëm të Qendrës së Studentëve në MASHTI është i kundërligjshëm. Gjithashtu, ka konstatuar se është përgjegjësi e MASHTI-t të ndërmerr veprime dhe masa të nevojshme për vendosjen e ligjshmërisë për rastin e pozitës së Drejtorit të përgjithshëm të Qendrës së Studentëve, sepse Ligji nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Kosovës dhe Ligji nr.06/L -114 për Zyrtarët Publik, nuk parashohin që kjo pozitë ta ketë mandatin e përhershëm me kohëzgjatje të pacaktuar”, është specifikuar në vendimin që e ka siguruar Klan Kosova.
Në dokument thuhet se akt-emërimi ishte nënshkruar nga sekretari i atëhershëm i Ministrisë së Arsimit, Xhavit Dakaj, me datë 21.06.2012.
Sfishta i ka konfirmuar televizionit se tashmë e ka pranuar vendimin për lirimin nga detyra.