Qëndrimet e shtetit të tij për situatën në botë i tha presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq pranë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së – Sesioni i 78-të.
Një pjesë të fjalimit në kuadër të ngjarjes që po mbahet në Nju Jork, ai ia kushtoi shteteve fqinje, e sidomos Kosovës. Krye-kroati thotë se republika më e re në Evropë e meriton ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
”Ne vazhdojmë të avokojmë njohjen universale të Republikës së Kosovës, dhe të drejtën e saj që të ekzistojë si anëtare e barabartë e komunitetit të kombeve. Është në interesin tonë që të promovojmë stabilitetin në këtë rajon, sikur dhe zhvillimin e mëtutjeshëm bashkë me procesin e integrimeve evropiane”, theksoi kryetari kroat.
Milanoviq shtoi se Kroacia si anëtare e BE-së, beson se procesi i integrimeve mbetet çelësi për përparim, duke shpresuar se zgjerimi do ndodhë në vitet që vijnë. Me patjetër vëmendja e Zagrebit zyrtar mbetet te raportet shpesh të tensionuara mes Kosovës e Serbisë.
”Jemi shumë të shqetësuar për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne duam t’i inkurajojmë masat për de-përshkallëzim të tensioneve. Këto dy vende ngjashëm duhet të fokusohen në normalizimin e raporteve të tyre dhe të përmbushim zotimet e tyre dhe të nisin zbatimin e asaj që u pajtua në Bruksel dhe Ohër, më herët sivjet”, tha Milanoviq.
Kryetari i Kroacisë përmendi edhe ato që i quajti çështjet e së kaluarës, duke shtuar se zbardhja e fatit të personave të pagjetur të zhdukur në luftë, hetimi i krimeve të luftës pa diskriminime dhe në linjë me të drejtën ndërkombëtare, si dhe qasja në arkiva duhet të trajtohen plotësisht.