Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për vizitën dhe takimet e saj në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Osmani e cilësoi vizitën e saj produktive, duke dhënë detaje rreth takimit që zhvilloi me presidentin amerikan Joe Biden dhe sekretarin Antony Blinken.
Presidentja tha se e presidentin amerikan e njoftoi për zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Po ashtu të marr konfirmimin për mbështetjen e fuqishme nga ana e tij por edhe të gjithë Shteteve të Bashkuara. Po ashtu kisha një bisedë të gjatë dhe përmbajtësore me sekretarin e shtetit zotin Blinken ku kemi diskutuar në detaje për të gjitha proceset dhe sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova”, tha Osmani, për RTV21.
E pyetur se si kaluan takimet me ndërmjetësuesit e dialogut të Kosovës me Serbinë, Osmani tha se shprehu qëndrimet e institucioneve të Kosovës se qasja e balancuar dhe trajtimi i barabartë i të dyjave palëve është parakusht në mënyrë që i tërë procesi i dialogut të ketë sukses.
“Dhe natyrisht njohja reciproke është ajo që jo vetëm do ta përmbyll dialogun, por natyrisht do të sigurojë paqe afatgjatë dhe po ashtu stabilitet në rajon. Ne si palë konstruktive kemi pranuar planin franko-gjerman dhe tani është koha që ai të zbatohet në plotni, pa kushte e të zbatohet nga të dyja palët, e jo vetëm Kosova ta zbatojë pjesën e saj e pastaj mos të ketë asnjë detyrim për Serbinë dhe ajo ta bëjë atë që rëndom dhe që e ka bërë tradicionalisht gjatë këtij procesi të dialogut pra të ikë nga implementimi”, tha Osmani.
Ajo shtoi se Kosovës i duhet partneritet me të gjithë që janë të përfshirë në dialog, por sipas saj balanci është kyç.
“Po aq kyçe është edhe heqja e masave nga ana e BE-së të cilat janë tërësisht joprofesionale, nuk ka asnjë arsye të jenë më në fuqi, për shkak se situata në veri nuk është më e tensionuar . Kosova ka marrë të gjitha hapat që të krijohet baza ligjore për zgjedhjet e reja në veri, po ashtu është reduktuar numri i forcave policore dhe në të njëjtën kohë i është rikthyer dialogut. Këto kanë qenë tri kushtet e paraqitura në deklaratën e 3 qershorit dhe shpresojmë se pas këtyre komunikimeve të shumta intensive që i kemi këto ditë edhe shtetet e Bashkimit Evropian do të marrin iniciativë që ato të hiqen.”, tha Osmani.