Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se mbështetja ndaj Kosovës është domosdoshmëri në drejtim të njohjeve të reja.
Begaj tha se mbështetja e Kosovë është domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin, pasi sipas tij, faktori shqiptar është faktor i rëndësishëm për paqen, sigurinë, mirëqenien dhe për zhvillimin e qëndrueshëm.
“Për të ardhur në situatën e tanishme, Shqipëria dhe unë në fjalën time dje në OKB, mbështesim fuqimisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, dialog i cili është i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë partneri dhe aleati ynë strategjik”, tha Begaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Më tej, Begaj tha se Kosova s’ka nevojë për vetizolim, por për miq e mbështetje.
“Kështu që duhet patjetër që çdo rekomandim i dhënë nga aleati ynë strategjik duhet të dëgjohet. Duhet të dëgjohet më së tepërmi nga politikanët e Kosovës, ata të cilët janë vendimmarrësit për këtë gjë. Do të këshilloja që, të gjithë politikanët e Kosovës, të gjithë shqiptarët, duhet të kuptojnë që ne kemi vetëm një busull, ajo busull duhet të na orientojë drejt rrugëtimit euroatlantik”, tha ai.