Haxhiu i reagon Çekut për ndërtimin e stadiumeve: Mashtrimi nuk kalon

Haxhiu i reagon Çekut për ndërtimin e stadiumeve: Mashtrimi nuk kalon

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i ka reaguar ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili tha se në 5 vitet e ardhshme do të ndërtohen e rinovohen 27 stadiume.

Sipas Haxhiut, Çeku, tash e tri vjet i ka bllokuar investimet në sport, në Stadiumin Nacional afër aeroportit të Prishtinës, Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, stadiumin e Gjilanit, Pejës, Gjakovës e Drenasit, me arsyetimin se duhet të miratohet strategjia për sportin.

“Tani ministri Çeku pa pasur strategji të miratuar për sportin po premton projekte për 5 vite! A duhet të jap llogari ministri Çeku për bllokimin e investimeve në stadiumet tona të cila janë shndërruar në gërmadha për shkak të ndërprerjes së investimeve. Mashtrimi nuk kalon”, shkroi Haxhiu.

Ai falënderoi Komitetin Olimpik të Lojërave Mesdhetare për vendimin e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, që sipas tij, zgjoi vetëdijen e qeverisë për investime në sport.

Related Articles