Me para të financuara nga Serbia, ka nisur ndërtimi i Universitetit në pjesë veriore të Mitrovicës.
Zyra për Kosovën në qeverinë serbe përmes një njoftimi ka publikuar fotot e nisjes së këtij projekti dhe detajet për ndërtimin e tij.
Në njoftimin e kësaj zyre thuhet se ‘ka nisur pastrimi i terrenit dhe prishja e ndërtesave ekzistuese pasi që mbrëmë në komunën e Mitrovicës ka filluar realizmi i fazës së parë për ndërtimin e një objekti modern të Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut’.
Më tutje në njoftim thuhet se pas fazës së parë do të nisë realizimi i fazës së dytë, ndërtimi i objektit i cili financohet nga Serbia, përmes Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.
Në një sipërfaqe prej 10 mijë e 500 metra katrorë sipas kësaj zyre do të jenë degët e fakultetit të matematikës, ekonomisë, drejtësisë, shkencave të natyrës dhe Rektorati.
“Me fillimin e realizmit të këtij projekti ne jemi duke përmbushur premtimin tjetër të dhënë për qytetarët tanë në krahinë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiç. Ai në një takim në Kurshumli gjatë muajit shkurt ka thënë se shteti do të ndajë para për ndërtimin e këtij kompleksi. Ky është vetëm edhe një tregues se shteti brengoset për popullin e vet në Kosovë”, ka thënë drejtori i zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq.