Reagon Lista Serbe: Ndodhi ajo që dëshiroi Kurti

Reagon Lista Serbe: Ndodhi ajo që dëshiroi Kurti

Lista Serbe ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti për ngjarjet që ndodhën në Banjskë të Zveçanit ditën e djeshme.

“Në emër të Listës Serbe dhe të gjithë popullit serb nga Kosova shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të serbëve të ndjerë dhe policit shqiptar të Kosovës në ngjarjen tragjike të djeshme në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit”- thuhet në reagimin e kësaj partie në facebook.

Sipas Listës Serbe dy antarët e grupit terrorist janë vrarë pasi që janë dorëzuar.

“Po ashtu, themi se do të kërkojmë hetim për vrasjen e së paku dy serbëve të vrarë gjakftohtë edhe pse janë dorëzuar. E pyesim bashkësinë ndërkombëtare pse EULEX-i nuk mori pjesë në operacion, por vetëm policia e Kurtit?”- thuhet tutje në reagim.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe ka kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i të vendosen urgjentisht në veri dhe qytetarët të tregojnë vetëpërmbajte.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve për paqe dhe vetëpërmbajtje, sepse është e nevojshme që sa më parë të rivendoset paqja në rrugët tona, në këtë kuptim ne kemi nevojë urgjente që KFOR-i dhe EULEX-i të vendosen në veri dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe të parandalojnë politikën ta shpërdorojë këtë ngjarje tragjike”- thuhet tutje në reagim.

Tutje ata kanë thënë se prej më shumë se një viti kanë paralajmëruar  se ‘Regjimi në Prishtinë po ushtron presion mbi serbët dhe çdo ditë po përshkallëzon situatën dhe po provokon reagimin e popullit’.

“Panumërt kërkuam nga KFOR-i që të ngrejë forcat e veta dhe të veprojë në mënyrë parandaluese, kërkuam nga bashkësia ndërkombëtare që ta frenonte Kurtin, gjithmonë bënim thirrje për paqe… por më kot. Fatkeqësisht, ndodhi ajo që dëshiroi Kurti”- thuhet tutje në reagim.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Sot përmes një konference për media, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka prezantuar disa nga armët që janë gjetur në vendin e ngjarjes, madje Sveçla ka thënë është gjetur një dokument për leje për armë e Milan Radojçiq, i cili është edhe nënkryetar i Listës Serbe.

Related Articles