Zona Ptuj në Slloveni është tronditur të martën, ku policia po tenton prej orë të tëra të neutralizojë një person të armatosur që qëllon nga ballkoni.
Sipas mediave vendase, policia e Mariborit rreth orës 8:40 të mëngjesit të sotëm ka marrë njoftim se në lagjen Drazhenci është parë një person i armatosur.
Policia ka mbërritur me shpejtësi në vendngjarje dhe ka rrethuar ndërtesën ku ndodhej i armatosuri në ballkon. Policia disa herë i ka bërë thirrje që të ulte armën, por ai nuk e ka bërë këtë, përcjell 24ur.
“Burri ka dalë disa herë në ballkon dhe në orën 9:48 ka hapur zjarr duke qëlluar në drejtim të policëve”, ka thënë policia sllovene.
Në vendngjarje kanë mbërritur pjesëtarët e Njësisë Speciale së bashku me negociatorët.
Situata vazhdon të jetë e tensionuar, ndërsa qytetarët janë urdhëruar që të mos i afrohen zonës.
Aktualisht nuk ka raporte për të lënduar.
Edhe pse në rrjetet sociale ka pasur pretendime se personi i armatosur po mban pengje në banesë, policia ende nuk ka mundur të vërtetojë këto pretendime.