A rrezikon të ‘bllokohet’ procesi i dialogut Kosovë – Serbi pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës

A rrezikon të ‘bllokohet’ procesi i dialogut Kosovë – Serbi pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës

Pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës orët e para të së dielës, që la të vdekur një rreshter të Policisë dhe plagosi një zyrtar tjetër, nuk munguan reagimet e ndërkombëtarëve.

Edhe shtetet e QUINT-it janë mbledhur në një takim në Bruksel, për të diskutuar për këtë situatë, njofton Gazeta Enigma.

Ndërkohë, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, ka thënë se vetëm BE-ja mund të ndihmojë palët që të arrijnë tek një marrëveshje.

“Ajo çka Përfaqësuesi i Lartë dhe emisari i BE-së janë duke bërë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, është duke u bërë bazuar në mandatin e dhënë nga 27 vendet anëtare, dhe BE-ja po e lehtëson procesin me kërkesë të Kosovës e Serbisë”, u shpreh Stano.

“Bashkimi Evropian si lehtësuese, mund të vetëm të ndihmojë palët që të arrijnë tek një marrëveshje, por kurajo e nevojshme për të arritur kompromise dhe gatishmëria për të gjetur zgjidhje konstruktive mbeten tek pjesëmarrësit e këtij dialogu. Dhe mund që sërish t’i referohem deklaratës së fundit nga 27 vendet anëtare, ku e kanë shprehur mbështetjen e plotë për Përfaqësuesin e Lartë dhe emisarin e BE-së, si lehtësues të dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, shtoi ai.

Kurse, ambasadori gjerman Jorn Rohde, deklaroi se në këtë pikë urgjent duhet vazhduar bisedimet e dialogut Kosovë-Serbi dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Sulmi i tmerrshëm kriminal dhe terrorist i së dielës kundër zyrtarëve të zbatimit të ligjit në Kosovë nënvizon nevojën urgjente për të vazhduar bisedimet e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit tani”, shkroi Rohde.

Edhe ambasadori amerikan Christopher Hill, theksoi se procesi diplomatik duhet të forcohet në ditët dhe javët në vijim.

Të gjithë duhet ta dënojmë vrasjen e një pjesëtari të policisë së Kosovës dhe gjithmonë mbajmë zi për humbjen e jetëve, por duhet të vazhdojmë me procesin politik. Proceset janë duke u zhvilluar për të inkurajuar dialogun”, tha Hill.

A mundet një situatë e tillë në veri të Kosovës, të ndikojë në procesin e çështjes së dialogut me Serbinë?

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Akri Çipa, në një prononcim për Gazetën Enigma, thotë se absurditeti i masave të BE-së ndaj Kosovës, del në plotësinë e tij në këtë kohë trazirash.

“Absurditeti i masave të ndërmarra ndaj Kosovës nga Bashkimi Europian del në plotësinë e tij pikërisht pas trazirave të këtyre ditëve. Nga njëra anë, kemi një palë që, pavarësisht gabimeve dhe kokëfortësisë së rastit, afrohet ndaj dialogut me vullnet të mirë dhe propozime konkrete. Nga ana tjetër, kemi një palë që jo vetëm ulet në tryezë thjesht për të demontuar propozimet dhe udhërrëfyesit, por edhe frymëzon dhe mbarështon, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte (mbetet për t’u konfirmuar), struktura kriminale dhe grupime paraushtarake terroriste në territorin e Republikës së Kosovës”, tha Çipa.

Sipas tij, shteti serb ka minuar themelet e mirëbesimit me strehimin e kriminelëve dhe qasjen ndaj tyre.

“Serbia zyrtare, nëpërmjet qasjes dhe strehimin që u ka bërë kriminelëve të tillë, ka minuar plotësisht themelet e mirëbesimit dhe të gatishmërisë për të qënë palë aktive dhe konstruktive në dialog. E vetmja mënyrë nëpërmjet së cilës mund të ulet në tryezë është nëpërmjet masave dhe presionit të shtuar të komunitetit ndërkombëtar. Përndryshe, veçse do të vazhdojë të bllokojë çdo lloj përpjekjeje për ta përfunduar dialogun”, vazhdoi njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare.

A ekzistojnë gjasa që kjo situatë të bllokoj procesin e dialogut Kosovë – Serbi?

“Ajo çfarë del më e qartë se kurrë sot është fakti se nuk ekziston asnjë premisë konkrete për asociacion ose bashkësi të komunave me shumicë serbe që mund të ketë kompetenca të zgjeruara. Që sot, kur përmendet asociacioni sipas pretendimeve të Beogradit, nuk bëhet më fjalë vetëm për një entitet që mund të shndërrohet në gangrenë politike si Republika Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë”, shtoi Çipa për Enigmën.

“Më keq se aq, ky entitet do të ishte një zonë e lirë për krimin dhe një strehë për strukturat paraushtarake dhe terroriste si kjo që pamë këto ditë, duke u shndërruar në një burim rreziku jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin. Nëpërmjet asaj që ndodhi këto dy ditë, me sulmin terrorist ndaj forcave policore të Kosovës, Serbia krijoi një provë madhore për largimin shumë më tepër nga sa mund të mendohej prej një projekti të tillë”, vazhdoi ai.

Eksperti thekson se pas ngjarjeve të fundit në Banjskë, dialogu duhet të rifilloj sa më shpejtë dhe nuk duhet të jetë i ngjashem me takimet e kaluara, dhe se BE me ndërmjetësuesit e saj nuk duhet të tolerojnë lojërat politike të Beogradit.

“Dialogu duhet rifilluar sa më shpejt. Megjithatë, ai nuk mund dhe nuk duhet të jetë më si më parë. Ngjarja e Banjskës ka rrëzuar një pjesë të kërkesave të Beogradit dhe ka zhbërë pakthyeshmërisht pretendimet e tyre. U takon Bashkimit Europian dhe ndërmjetësuesve ta bëjnë të qartë se nuk ekzistojnë premisat për të këmbëngulur në lojërat politike të Beogradit dhe të tolerojnë vonesa të mëtejshme. Tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për çështje kredibiliteti për BE-në, por për një çështje të mirëfilltë sigurie në zemër të Europës. Një shtet i shëndetshëm dhe me kapacitete në rritje si Kosova, vlen më tepër për sigurinë rajonale dhe ndikimet në kontinent”, përfundoi Çipa.

Kujtojm se në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.

Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës prej nga u përlesh me Policinë e Kosovës./GAZETAENIGMA/

Related Articles