Një pjesë e partive opozitare në Parlamentin serb e kanë akuzuar partinë në pushtet, Partinë Progresive Serbe (SNS) dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për sulmin në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.
Presidenti i partisë opozitare serbe, Lëvizja Kombëtare e Serbisë, Mirosllav Aleksiq, tha më 26 shtator se presidenti Vuçiq dhe nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq “janë përgjegjësit kryesorë për gjakderdhjen në Banjskë” të Zveçanit, transmetoi agjencia Beta.
Duke komentuar për videon e publikuar më 26 shtator nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, që pretendoi se shfaqte Radoiçiqin në manastirin e Banjskës i pajisur me armë zjarri, Aleksiq tha se politika e Listës Serbe, SNS-së dhe qasja e Vuçiqit ndaj Kosovës pësuan debakël.
“Pas konfliktit të armatosur në Banjskë, në të cilën vdiqën të paktën katër persona, Vuçiq duhet të japë dorëheqje. Radoiçiq nuk ka mundur të armatosë dhjetëra serbë në veri pa dijeninë dhe miratimin e Vuçiqit dhe shërbimeve serbe të sigurisë. Këta të dy kanë më së shumti përgjegjësi për gjakun e derdhur në Banjskl”, tha Aleksiq.
Lista Serbe është partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe Radoiçiq është në listën e zezë amerikane për shkak të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar. Emri i tij është i lidhur edhe me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, një politikani opozitar në Kosovë.
Deri më tani, Lista Serbe dhe Vuçiq publikisht e kanë mbrojtur atë. Vuçiq nuk ka komentuar pretendimet për përfshirjen e Radoiçiqit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri.
Deputeti nga subjekti opozitar, Partia pro-Evropiane Demokratike, Sërxhan Milivojeviq, tha se Vuçiq duhet të japë dorëheqje, sepse në, siç u shpreh ai, luftën njëditore të tij ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lideri serb sakrifikoi serb të rinj në Kosovë.
Duke komentuar akuzat e Sveçlës se Radoiçiq udhëhoqi 30 serbë që sulmuan Policinë në Banjskë të duekën, Milivojeviq tha se pjesëmarrja e Radoiçiqit në këtë ngjarje tragjike “nuk do të ishte befasi”.
“Nëse Radoiçiqi ka marrë pjesë në këtë ngjarje, atëherë është e qartë se regjimi në Beograd i udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq qëndron prapa çdo gjëje. Nëse Radoiçiqi ose kushdo tjetër ka organizuar këtë gjë pa miratimin apo urdhrin nga Beogradi, ai tashmë do të ishte arrestuar apo do të ishte fundi i Vuçiqit”, tha ai.
Kreu i partisë opozitare të krahut të djathtë, Dveri, Boshko Obradoviq, kërkoi nga Qeveria serbe që të njoftojë për numrin emrat e të vrarëve, të plagosurve dhe arrestuarve në mesin e serbëve në Kosovë.
Ai tha se është “veçmas skandaloze” që pushteti në Serbi po ua lë fajin serbëve në Kosovë.
Ndërkaq, lideri i partisë së krahut të djathtë, Partia e Re Demokratike, Millosh Jovanoviq, tha se ngjarjet e fundit në Kosovë tregojnë se Qeveria e SNS-së duhet të ndryshojë “politikat shkatërruese” sa i përket Kosovës.
“Ky është fundi dhe kjo situatë tragjike tregon se ne duhet të bëjmë ndryshime thelbësore në Serbi. Qeveria duhet të ndryshojë sepse për 12 vjet në pushtet të tyre dhe politikat që nga viti 2008 na kanë sjellë deri te kjo”, tha ai.
Një grup i maskuar dhe i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit – zonë e banuar me shumicë serbe – më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku vazhdoi përleshjen e armatosur me Policinë e Kosovës.
Autoritetet në Kosovë thanë se tre sulmues janë vrarë dhe tetë persona janë arrestuar.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.
Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.
Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.
Sulmi është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./REL/