Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet.
Një rast i tillë është zbuluar mesnatën e së mërkurës në rrugën ‘2 Korriku’ në Pejë, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka vërejtur se një veturë është larguar me shpejtësi në mënyrë të dyshimtë.
Sinjali mëson se vetura ku ndodheshin tre persona, për shkak të shpejtësisë kanë pësuar incident dhe më pas janë kapur nga Policia.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur në veturë disa letra që përdoren për mbështjelljen e cigareve të mbushura me narkotikë, ndërsa në afërsi të automjetit kanë hasur edhe në një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.