Profesori nga Universiteti i Sarajevës: Zhvillimet e fundit dobësojnë pozitën e Vuçiqit përballë Kurtit

Profesori nga Universiteti i Sarajevës: Zhvillimet e fundit dobësojnë pozitën e Vuçiqit përballë Kurtit

Profesori në Universitetin e Shkencave Politike (FPN) në Sarajevë, Shaqir Filandra, ka thënë se ngjarjet e fundit në Kosovë minojnë pozitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si kontrollues absolut i procesit në Ballkan.

Sipas tij, ngjarjet e fundit në Kosovë më së shumti kanë të bëjnë me presidentin Vuçiq dhe në një mënyrë që nuk i përshtatet Beogradit zyrtar. Ndërsa ka shtuar se zhvillimet e fundit do ta dobësojnë edhe pozitën e presidentit serb në procesin negociator.

“Këto [zhvillimet] e dobësuan pozitën aktuale negociuese të Vuçiqit në raport me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe nëse ai [Vuçiqi] nuk ka ditur për këtë akt, nuk është mirë për të dhe për situatën e përgjithshme. Në rast të kundërt, bëhet fjalë për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të një shteti, dhe ka shumë mundësi që pozicioni i tij politik si kontrollues absolut i të gjithë procesit, duke dinamizuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të jetë minuar në një farë mënyre”, ka thënë Filandra në një intervistë për “Jedan”.

Filandra beson se është shumë herët për të përcaktuar nëse ngjarjet e fundit në Kosovë mund të kenë pasoja negative për sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Këtë, thotë ai, do ta tregojnë ngjarjet në vijim.

Ai pohon se nuk mund të lidhet çështja e Kosovës me situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, siç bën Beogradi zyrtar. Sipas tij, nuk ka lidhje shkakësore ndërmjet shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe shtetit të Kosovës, transmeton Koha.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin pasues të Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Prej të arrestuarve, tre janë dërguar në paraburgim e katër janë liruar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

Janë publikuar pamje që tregojnë se si grupi i armatosur ka lëvizur në Manastirin e Banjskës. Ministri Sveçla ka publikuar pamje në të cilat shihet edhe zëvendëskryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Related Articles