Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova e ka “mundësinë të marrë atë që ka kërkuar aq shumë vjet”.
Ai i është referuar marrëveshjes së Brukselit, që njihej më herët si propozimi franko-gjerman.
“Për mua Serbia është shteti që ka humbur luftën me Kosovën. Është shteti që e ka humbur luftën. Kosova është vendi që sot e ka mundësinë të marrë atë që ka kërkuar aq shumë vjet, e ka atë në tavolinë. Nuk heq dorë nga kjo. Këtë që ndodhi në veri e kam paralajmëruar me kohë, kur kam thënë të mos lihet veriu i Kosovës të degradojë në arenë përplasjesh e të katendiset në një Dobas të vogël”, tha Rama në konferencë për media. “Synimi strategjik është të merret ajo që është arritja e dytë historike pas fitores së luftës, falë aleatëve e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo merret në tavolinë. Ajo merret me ata që i qiuani ju ndërkombëtarët të cilëve po u reziston Albin Kurti”.
Rama ka thënë se “’s’mund ta ketë e gjithë bota gabim gjithmonë, e ta ketë Albin Kurti gjithmonë të drejtë”.
“Nuk është e mundur kjo, aq më tepër kur dihet se kush janë palët”, tha Rama.
Ai thotë se qind për qind është dakord me deklaratën e BE-së sa i përket Kosovës në dialog. Porse, kërkon të përmendet në deklaratë edhe sulmi i të dielës në Banjskë.
Ndërkohë i pyetur nëse do të pranonte të ndërmjetësonte në dialog Kosovë – Serbi, ai thotë se nuk është e mundur “pasi është konflikt të hapur interesi”.
“Pavarësisht se për disa jam vëllai i Vuçiqit, por edhe vetë Vuçiqi e di shumë mirë se jam konflikt të hapur interesi”, ka thënë Rama.