Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në TopStory, deklaroi se pas sulmit terrorist të dielen nuk është asgjë më e njejtë me shtetin serb.
“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt se pas te dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime të mos shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues. Asociacioni i 2013 është kundër kushtetutës së Kosovës dhe nuk mund të bëhet. Escobar shumë qartë e ka përcaktuar se nuk mund të ketë Asociacion pasi mund të jetë një republikë e dytë serbe. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që shkelja e Kushtetutës të mos jetë pjesë e marrëveshjes që kemi pranuar në Bruksel. Nuk ndodhi sepse Serbia e ka pasur të qartë që nuk është e gatshme e që i mungon gatishmëria e plotë. E dallojmë BE-në nga SHBA sepse SHBA ka qenë më pragmatike në të kuptuarit të realitetit të vendit tonë dhe të Ballkanit. Çdo përpjekje e jona për të sjellë energji dhe rezultate në proces, në fund ju e shihni që jemi pala e vetme që kërkon implementimin e marrëveshjes në Bruksel. Ky dialog nuk çon askund është qorrsokak“, tha ministrja Gërvalla.
“Për mua është shumë e rëndësishme që mbas asaj që ka ndodhur të dielën ka prioritete krejt të tjera në raportin tonë me ndërkombëtarët, siguria. Nuk ka shkelje më të rëndë sesa agresioni i hapur ndaj atij që pretendon që ke në tavolinë. Pas sulmit qëndron Serbia dhe aty ka pasur armatim për qindra trupa.”- tha Gërvalla.