Një krim i rëndë është regjistruar mbrëmë në Itali, ku një 35-vjeçare shqiptare është vrarë në mes të rrugës me plumb në kokë.
Mediat italiane raportojnë se viktimë e sulmit me armë ka mbetur Klodiana Vefa, me leje të rregullt qëndrimi, nënë e dy fëmijëve.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 në provincën Casterlfiorentino të Firences, në rrugën ‘Galvani’.
Ishin pikërisht banorët e zonës ata që njoftuan policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes dhe konstatoi se gruaja kishte vdekur në vend.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se Vefa është pritur në rrugë nga një person (burrë).
Nuk dihet nëse ka pasur debat mes autorit dhe viktimës përpara se të ndodhte krimi, por ajo që dihet është se burri ka nxjerrë pistoletën dhe ka vrarë 35-vjeçaren me plumb në kokë.
Ndërkohë, për krimin është shpallur në kërkim burri i saj, Alfred Vefa, gjithashtu shqiptar.
Së fundmi mes çiftit kishte pasur mosmarrëveshje dhe duket se burri nuk jetonte më në të njëjtën shtëpi.
Klodiana Vefa punonte si kamariere në një piceri dhe ishte integruar në komunitetin e Castelfiorentino.
Policia ka nisur të marrë dëshmitë e para ndër ta dhe të dy fëmijëve të viktimës, një djali 17 dhe një vajze 14 vjeçare.
Njëri prej tyre ka treguar se mes të ëmës së tij dhe të atit në të kaluarën ka pasur dhe konflikte.