Tre fëmijë dhe një mësues janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në shkollën fillore “Silver Rail”, në qytetin Bend të shtetit të Oregonit, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas policisë, i dyshuaripër sulmin ishte një 16-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje nga një qytetar i armatosur, pasi ky i fundit e kishte parë duke hyrë në shkollë dhe ishte përballur me të.
Nga të shtënat, një fëmijë tjetër dhe një mësues kanë mbetur të plagosur rëndë dhe po marrin trajtim mjekësor.
Shefi i policisë së Bendit, Mike Krantz, bëri të ditur se autoritetet u njoftuan fillimisht pasi një qytetar raportoi se ishte qëlluar disa herë nga një person që mbante një armë të gjatë. Pas telefonatës së parë, policia pranoi dhjetëra telefonata të tjera emergjente, ku raportohej për një person të armatosur brenda shkollës.
Forcat e rendit në zonë u mobilizuan menjëherë dhe mbërritën në vendngjarje në orën 13:02 sipas kohës lokale, pak minuta pas njoftimeve të para.
Sipas shefit të policisë, pak çaste pas mbërritjes së oficerëve, u raportua se i dyshuari ishte qëlluar nga qytetari që ishte përballur me të brenda shkollës.
