Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka lënë të nënkuptohet se ka ende rreziqe pas gjendjes së krijuar në veri fundjavën e kaluar.
Ai ka thënë se shteti i Kosovës për përgatitet për çfardo ballafaqimi.
“Mendojmë se ka rreziqe. Ne jemi vigjilentë”.
“Po përgatitemi që të përballemi dhe t’i përgjigjemi suksesshëm çfarëdolloj sfide, duke qenë se kemi përvoja tashmë jashtëzakonisht të këqija, qoftë me Serbinë, qoftë me presidentin e saj, Aleksandar Vuçiq”, tha Sveçla për REL.
Shefi i Punëve të Brendshme të shtetit ka thënë se janë duke i vazhduar hetimet deri në detaje për secilin terrorist që ka marrë pjesë në sulmin kundër Policisë dhe Kosovës.
“Ne do të vazhdojmë ta hetojmë këtë sulm në detaje, t’i identifikojmë të gjithë terroristët që kanë marrë pjesë në këtë sulm, ta hetojmë gjithë hierarkinë e dy organizatave që ne tashmë i kemi shpallur terroriste – Severna Brigada dhe Civilna Zashtita [Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile] – por edhe t’i dokumentojmë lidhjet e drejtpërdrejta me Qeverinë e Serbisë”.
Ai ka edhe një kërkësë për shtetin serb.
“Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë nga Serbia – patjetër përmes partnerëve tanë – që të gjithë të plagosurit që kanë arritur të ikin nga Kosova, si dhe ata që kanë ikur pa dëmtime, t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës, duke qenë se vetëm kështu, realisht, mund të sjellim një normalizim të situatës në Kosovë”.