Numri i rasteve të kancerit të gjirit tek moshat e reja po shënon rritje. Rreth 430 gra gjatë këtij viti mendohet se do të jenë raste të reja të atakuara me këtë sëmundje. Përveç sfidave me shëndetin, ato ballafaqohen edhe me kushte jo të mira për trajtim.
Drejtoresha e Qendrës për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi ngrit shqetësimin se 5.5 gra konkurrojnë në ditë për një shtrat në Klinikën e Onkologjisë.
Gjatë “muajit rozë”, siç njihet tashmë tetori, ajo thotë se do të organizojnë ligjërata me komunitetet në vend. Për të 17-n herë me radhë do të marshohet edhe me thirrjen “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”.
Nafije Latifi, e cila është drejtoreshë e Qendrës për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, thotë se mbi 400 raste me kancer të gjirit po shënohen çdo vit në vend.
Rastet e reja të prekura me këtë sëmundje po atakojnë së fundmi edhe moshat më të reja.
“Për fat të keq po shihet se po bie mosha e grave që atakohen me këtë sëmundje. Derisa viteve të kaluara dhe nëpër botë atakohet një moshë rreth 45-55 (vjeçare) kjo është mesatarja që atakohen gratë nëpër botë, tek ne për shkak të moshës më të re të popullsisë po vërehet që edhe mosha e grave që atakohen me këtë sëmundje është në rënie. Kemi edhe raste edhe rreth të 30-tave, rreth të 40-tave që janë paciente në Onkologji”, deklaron Latifi.
Derisa thotë se kosto për trajtimin e pacientëve është shumë e madhe, gruaja e cila u atakua vet nga kjo sëmundje tregon se mungojnë kushtet për trajtimin e kancerit të gjirit.
Qendra për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” po kërkon çdo vit që të sigurohen produktet që u nevojiten grave gjatë trajtimit me kancer të gjirit.
“Një prej kërkesave tona është edhe sigurimi i produkteve të cilat ndikojnë në psikiken e grave, siç janë parukat, protezat dhe gjoksoret. Për vite me radhë i kemi siguruar duke i lypur nga kompanitë e ndryshme të cilat na kanë ofruar donacionet për shoqatën, por ne të gjitha ato i kemi orientuar për nevojat e pacientëve”, deklaron ajo për KosovaPress.
Me mesazhin se sëmundja e kancerit mund të tejkalohet, Nafije Latifi e cila mposhti kancerin e gjirit kërkon nga rrethi që të përkrahin gratë.
Tetori, i njohur ndryshe si “muaj rozë” shënon muajin ndërkombëtar të luftimit të kancerit të gjirit.
Edhe këtë vit do të organizohet marshi tradicional “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”, me thirrjen që gratë të bëjnë kontrolle të rregullta.
Marshi tradicional do të organizohet me 14 tetor nga ora 12 nga sheshi “Skënderbeu” në drejtim të atij “Zahir Pajaziti”
Po ashtu do të publikohet edhe promo televizive, e cila fton gratë për vet kontrolle dhe donacione për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.