Nuk ka plane të menjëhershme për të vendosur instruktorë ushtarakë në Ukrainë, tha të dielën kryeministri britanik, Rishi Sunak, duke u larguar nga deklaratat e Ministrit të tij të Mbrojtjes që kishte sugjeruar se trupat mund të kryenin stërvitje.
Deri më sot, Britania dhe aleatët e saj kanë shmangur një prani formale ushtarake në Ukrainë për të zvogëluar rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, i cili u emërua në këtë rol muajin e kaluar, tha në një intervistë për gazetën “The Sunday Telegraph” se ai dëshironte të dërgonte instruktorë ushtarakë në Ukrainë, përveç trajnimit të forcave të armatosura ukrainase në Britani ose vende të tjera perëndimore.
Disa orë pas publikimit të asaj interviste, Sunak tha se nuk kishte plane të menjëhershme për të dërguar trupa britanike në Ukrainë.
“Ajo që po thoshte Sekretari i Mbrojtjes ishte se mund të jetë e mundur një ditë në të ardhmen që ne të bëjmë disa nga ato trajnime në Ukrainë”, u tha Sunak gazetarëve në fillim të konferencës vjetore të Partisë Konservatore në Mançester.
“Por kjo është diçka për një afat të gjatë, por jo tani. Nuk ka ushtarë britanikë që do të dërgohen për të luftuar në konfliktin aktual”.
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tha të dielën se çdo ushtar britanik që trajnon trupat ukrainase në Ukrainë do të ishte objektiv legjitim për forcat ruse.
Britania ka ofruar kurse trajnime ushtarake pesë-javore për rreth 20,000 ukrainas gjatë vitit të kaluar dhe synon të trajnojë një numër të ngjashëm në vijim, shkruan Reuters.