Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Raste të tilla zbulohen shpesh edhe në lokale të natës e diskoteka.
Kështu ka ndodhur edhe së fundmi, në diskotekën “San Bar” në Vitomiricë të Pejës, ku një person është futur i armatosur dhe ka qëndruar brenda, derisa dikush e raportoi në Polici.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që përfundoi në ndalim policor, pasi u kap me armë ilegale është Burim Zeka, 41-vjeçar.
I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Përmes rrugëve operative policia ka marr informacionin se ne një lokal është një i dyshuar i armatosur. Njësitë policore i janë përgjigjur vendit te ngjarjes, policia ka identifikuar personin e dyshuar, i njëjti me një rrobë sportive e kishte mbështjellë pistoletën dhe e kishte vendosur në afërsi te vetes mbi radiator, pistoleta me një karikator dhe një fishek janë sekuestruar. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.