‘Nëse vërtetohet se Serbia është në ndonjë mënyrë e përfshirë në sulmin në veri të Kosovës, mendoj se duhet të rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në iniciativën “Ballkani i Hapur”’, ka thënë ministri i Jashtëm i Maqedonisë Veriore, Bujar Osmani.
“Pas ngjarjeve në Kosovë të 24 shtatorit, mendoj se Serbia duhet të bëjë përpjekje që të dëshmojë se nuk është e përfshirë në atë ngjarje, sepse nëse ka ndonjë ndërhyrje të shtetit, realisht na e bën të pamundur pjesëmarrjen në shtetet tjera në rajon, sepse ideja e “Ballkanit të Hapur” mbi të gjitha ishte pajtimi. Dhe ajo që ndodhi në veri të Kosovës, shpresoj të dëshmohet se nuk ka asnjë përfshirje shtetërore, por nëse vërtetohet, vërtet mendoj se duhet ta rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë”, tha Osmani në emisionin “Top Tema”.
I pyetur për deklaratën e zv. kryeministrit Bojan Mariçiq, se ka marrë reagime nga ambasadori holandez dhe siç tha ai nga përfaqësuesit e Hagës, të cilët kanë shprehur shqetësimin për ndryshimet në Kodin Penal, Osmani ka insistuar se zgjidhja e mëparshme ligjore nuk ka dhënë rezultat.