Tiranë: Apeli vendos për ish-luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj lirohet nga burgu

Tiranë: Apeli vendos për ish-luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj lirohet nga burgu

Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur të lirojë nga burgu ish-luftëtarin e UÇK-së Dritan Goxhaj, të burgosur për llogari të Prokurisë Speciale të Kosovës.

Me vendimin e saj, Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë duke rrëzuar ekstradimin dhe liruar ish-luftëtarin e UÇK-së.

Një ditë më parë vetë Goxhaj do të reagonte nga qelia ku theksoi se ky është një operacion i mirëfilltë ruso-serb për të pastruar imazhin e Rusisë si vend agresor ndaj Ukrainës në 2022 dhe më parë ndaj Gjeorgjisë në vitin 2008.

Mekanizimi që ndiqet është që të krijohet një klimë mediatike barazie në agresion mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë mënyrë përmes mediave dhe politikave të ndryshme, ndërhyrja e NATOS-s në favor të Kosovës në 1999 të shihet si agresion ndaj Serbisë. Pra si një akti terrorist ndaj serbëve dhe sllavët të jenë viktima në këtë rast, kur viktimë ishte populli i Kosovës.

Dhe për këtë i duhen dhe disa ish-luftëtarë të UÇK-së që të dënohen si kriminelë lufte. Dhe një ndër ta është edhe Dritan Goxhaj, i cili do të ekstradohet për llogari të Prokurorisë Speciale të Kosovës me seli në Hagë.

Për Goxhajn, Prokuroria në këtë rast po punon për interesat juridiko-politike të Serbisë dhe Rusisë, duke dënuar një luftë të drejtë të popullit shqiptar.

Reagimi i Dritan Goxhajt në FB:

Prokuroria dhe Gjykata Speciale e Kosovës si alibi për Rusinë

Çdokush që në vitin 1999 ka qenë në moshë madhore dhe i ka ndjekur ngjarjet e atij viti është dëshmitar i ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave jugosllave në Kosovë e Serbi. Të gjithë ju jeni dëshmitarë se që në atë kohë e deri më sot Serbia, atëhere nëpërmjet Ministrit të saj të Informacionit Aleksandër Vuçiç dhe sot nëpërmjet po këtij përsoni në detyrën e Presidentit të Serbisë, nuk pushon së akuzuari dhe etiketuari ndërhyrjen e NATO-s në 1999 si agresion ndaj Serbisë. Të njëjtin qendrim në favor të kësaj akuze kanë mbajtur dhe mbajnë akoma të gjitha forcat e majta politike në Evropë në përgjithësi dhe në ish-Jugosllavi në veçanti. Madje, njëri nga mbrojtësit e kësaj teze ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe një nga përkrahësit më të mëdhenj dhe miqtë e Lëvizjes VetëVendosje dhe në veçanti të Kryeministrit Kurti, filozofi nostalgjik i ish-jugosllavisë, slloveni Sllavoj Zhizhek.

Megjithatë, deri tani, kjo tezë e Serbisë e argumentuar filozofikisht nga miku i Vetëvendosjes ka mbetur vetëm si tezë dhe nuk është ngritur në nivele juridike, por Serbia dhe miqtë e saj kanë nisur prej vitit 2011 me anë të Rezolutës 1782 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që të hedhin bazat e para që në një të ardhme jo shumë të largët të mund të ngrenë ose artikulojnë edhe nga ana ligjore tezën e tyre se ndërhyrja e NATO-s ndaj Serbisë dhe forcave të saj për të ndaluar genocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë të konsiderohet si agresion.

Rezoluta 1782, të cilën ne e njohim si Rezoluta e bazuar mbi raportin e Dik Martit ishte vetëm hapi i parë i një operacioni të mirëmenduar dhe mirëorganizuar me objektiv primar UÇK-në, ndërsa objektiv sekondar, i cili është edhe objektivi madhor i këtij operacioni, NATO-n. Për të arritur këtë objektiv madhor me rëndësi gjeopolitike dhe gjeo-strategjike, në veçanti për Rusinë, por në të cilin e ka gjetur veten edhe interesi genocidial i Serbisë së Vuçiçit, Rusia dhe Serbia përdorën të gjitha lidhjet mafiozo-politike që kishin me të gjitha forcat politike të Evropës në mënyrë që ato të përdornin të gjithë fuqinë e tyre dhe presionin e mundshëm që tani të fillonte realizimi i fazës së dytë të këtij operacioni. Faza e dytë ishte ndërtimi i një gjykate dhe prokurorie të veçantë që të merrte nën akuzë UÇK-në dhe vetëm atë. Ngritja e kësaj prokurorie dhe gjykate në vitin 2015, të njohura sot si Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës shënojnë edhe fundin e fazës së dytë të këtij operacioni anti-NATO.

Faza e tretë e këtij operacioni të sofistikuar rus dhe të mirëinformuar nisi me artikulimin e akuzave ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Për këtë qëllim u akuzuan dhe arrestuan qëllimisht udhëheqësit politik të UÇK-së. Them politik dhe e kam theksuar edhe më parë pasi Hashim Thaçi ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Politike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi kishte detyrën e zëdhënësit të UÇK-së dhe, njëkohësisht, ishte edhe anëtar i Drejtorisë Politike, Kadri Veseli kishte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimit Informativ të Shtabit të Përgjithshëm të UÇKsë dhe, gjithashtu, ishte edhe anëtar i Drejtorisë Politike, ndërsa Rexhep Selimi kishte detyrën e Kryeinspektorit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjithashtu ishte edhe anëtar i Drejtorisë Politike të udhëhequr nga Hashim Thaçi. Të katër këta të akuzuar e të ndaluar nga këto Dhoma Speciale nuk kanë mbajtur për asnjë moment detyra komanduese dhe pikërisht vetëm se kanë mbajtur detyra politike edhe janë përzgjedhur nga ana e hartuesve të këtij operacioni për t’u akuzuar. Kjo fazë e tretë ka për qëllim që të godasë përfaqësinë politike të UÇK-së pasi këto persona janë edhe firmëtarë të Marrëveshjes së Rambujesë, marrëveshje të cilën nuk e firmosën serbët dhe, si pasojë, erdhi edhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s.

Fillimi i procesit gjyqësor shënon edhe fillimin e fazës së katërt të këtij operacioni, fazë kjo që mbyllet me dënimin e tyre. Më pas do të fillojë edhe faza e pestë, e cila ka të bëjë me fillimin dhe kulmimin e një propagande speciale nga ana e Serbisë dhe mediave e njerëzve që kontrollohen nga ajo se NATO ka bërë marrëveshje me një ushtri dhe me persona që janë kriminelë lufte. Dhe, si e tillë, kjo e bën të pavlefshme moralisht marrëveshjen e Rambujesë. Pasi të arrijnë suksesin propagandistik, do të nisin fazën e gjashtë dhe të fundit të këtij operacioni ruso-serb. Do të akuzojnë juridikisht në gjykatën ndërkombëtare të OKB-së ndërhyrjen ushtarake të NATO-s si agresion pasi ndërhyrja e tyre ka ardhur si pasojë e një marrëveshjeje të firmosur vetëm nga UÇK-ja dhe përfaqësuesit e saj politik, tashmë të akuzuar dhe arrestuar padrejtësisht e nesër edhe dënuar po padrejtësisht nga kjo gjykatë e cila është vënë e gjitha në shërbim direkt të Serbisë dhe indirekt të Rusisë.

Jam i bindur se të gjithë ata të cilët për arsye personale dhe vetëm personale e kanë përkrahur, e përkrahin dhe bashkëpunojnë me këtë prokurori e gjykatë janë duke bërë pyetjen: “Po interesi i Rusisë ku qëndron këtu?!”. Interesi i Rusisë në gjithë këtë operacion ruso-serb është krijimi i kushteve për Serbinë që kjo e fundit të arrijë të ngrejë një akuzë ligjore ndaj ndërhyrjes së NATO-s, pasi kështu Rusia do të vinte NATO-n në një pozitë të atillë që, duke e akuzuar për agresion ndaj Serbisë, t’i bllokonte mundësinë NATO-s që kjo e fundit të mos mundet, qoftë edhe moralisht, t’i konsiderojë si agresion sulmet e Rusisë ndaj Gjeorgjisë në 2008 dhe atë ndaj Ukrainës në 2022. Pra, në sytë e të gjithë komunitetit ndërkombëtar të vendoset kështu një barazi ndërmjet dy palëve ndërluftuese sot në Ukrainë, NATO-s dhe Rusisë. Dhe për realizimin me sukses të këtij operacioni juridiko-politik ruso-serb është ngarkuar dhe angazhuar Prokuroria Speciale dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës të vendosura në Hagë.

Rrjedhimisht, të gjithë ata që e miratuan këtë gjykatë, në mënyrë të pavetëdijshme, kanë rënë në grackën roso-serbe, ndërsa ata që edhe sot vazhdojnë t’i përkrahin politikisht dhe publikisht këto dy institucione juridike të Kosovës po i shërbejnë me vetëdijë të plotë këtij plani ruso-serb, ndërsa ata që bashkëpunojnë me këto dy institucione qoftë në dhënien e çdo lloj ndihme juridike, qoftë edhe si dëshmitarë të mbrojtur apo të fshehur, janë duke punuar në shërbim të interesave ruso-serbe në dëm të interesit të NATO-s dhe, konkretisht, janë duke tradhëtuar interesat e aleancës perëndimore politiko-ushtarake më të madhe që ka sot bota, si dhe njëkohësisht janë duke kryer edhe tradhëti kombëtare dhe shtetërore, tradhëti për të cilën bilbili i gjuhës shqipe Naim Frashëri ka shkruar:

Hiqni dorë, hiqni dorë!

Mblithni mëntt’ e turpërohi,

Mos u bëni trathëtorë,

Se pastaj do të pendohi.

Dritan Goxhaj

Burgu 313, Tiranë

Related Articles