Osmani: Frenimi i Serbisë i domosdoshëm si masë parandaluese për të ardhmen

Osmani: Frenimi i Serbisë i domosdoshëm si masë parandaluese për të ardhmen

Presidentja Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët për media me homologun e saj kroat Zoran Milanoviq, ka kërkuar ndëshkimin e Serbisë për aktin agresor ndaj Kosovës dhe tha se duhet të shtohet siguria në kufirin me Serbinë.

Osmani u ka bërë thirrje aleatëve ndërkombëtarë, duke thënë se mos veprimi do të sjellë inkurajimin e tyre për sulme ndaj Kosovës.

“Pas aktit të agresionit të 24 shtatorit, fokusi duhet të jetë te vënia e të gjithë autorëve para drejtësisë së Republikës së Kosovës, marrja e garancive të forta të sigurisë sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës e Serbisë si dhe frenimi e sanksionimi i Serbisë për veprimet e saj si masë parandaluese për sulmet e tjera në të ardhmen”, ka thënë ajo.

Osmani ka theksuar se tashmë sipas të gjitha provave, qëllimi i grupeve terroriste që sulmuan Kosovën më 24 shtator ka qenë aneksimi i veriut.

“Nëse nuk merren masa nga komuniteti euro atlantik, Serbia do të ndihet më e inkurajuar për të vazhduar me akte e sulme tjera me qëllimin përfundimtar, me atë që është dëshmuar nga të gjitha provat, aneksimi i veriut të Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Tutje ka thënë se Kosova mbetet e palëkundur në vizionin dhe përpjekjet e saj për të pasur raporte të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Osmani ka theksuar se Kosova po punon për synimin strategjik për anëtarësim në NATO dhe BE, duke i njohur ato edhe si garanci për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në gjithë rajonin.

Presidentja Osmani në konferencën e përbashkët me homologun kroat, ka thënë se pret nga bashkësia ndërkombëtare qartësi strategjike, ndërkaq nga Kroacia vazhdim të bashkëpunimit për këtë sfidë të sigurisë.

Related Articles