Mbrëm është gjetur i vdekur një fëmijë rreth 4 vjeç në fshatin Raskovcë të Obiliqit.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se fëmija fillimisht ishte raportuar i zhdukur.
Trupi i tij u gjet dy orë më pas, ndërsa Policia i ka nisur hetimet për rrethanat e vdekjes së tij.
“Rreth orës 18:15, është pranuar informata ndërlidhur me dyshimet për rënien në lum të një fëmije rreth pesë vjeç, në fshatin Raskovë të komunës së Obiliqit. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast ka vijuar kërkimet dhe gjurmimet në terren. Rreth orës 20:30 është raportuar për gjetjen e trupit të fëmijës, por fatkeqësisht pa shenja jete. Aktualisht po trajtohen rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lajmin e bëri të ditur Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.
“Pas një alarmi të marrë për zhdukjen e një fëmije 4-vjeçar në Raskov të Komunës së Obiliqit, pjesëtarët e shoqatës u aktivizuan në kohë rekorde. Pas kërkimeve intensive së bashku me Policinë e Kosovës dhe bashkëfshatarët u bë e mundur gjetja e fëmijës 4-vjeçar, por fatkeqësisht pa shenja të jetës. Ngushëllime familjes dhe fshatit Raskov për këtë humbje të madhe”, thuhej në njoftim të kësaj shoqate.