Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
“Republika e Kosovës tre javë më parë është ballafaquar me një sulm terrorist, të mirë-organizuar dhe mbështetur në të gjitha format nga shteti me të cilin kufizohemi në pjesën veriore të vendit tonë, nga Serbia. Nga ky sulm i personave të maskuar e të armatosur rëndë, është vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku”, deklaroi ai.
Kurti ka thënë se të gjitha provat e siguruara në vendin e sulmit është dëshmuar që sulmi në Banjskë është kryer nga Serbia.
“Nga të gjitha provat e siguruara në vendin e sulmit dhe jo vetëm, dëshmohet qartë që ky sulm është kryer nga Serbia. Qëllimi kryesor i saj ka qenë që përmes terroristëve të armatosur e të maskuar të aneksojë veriun e vendit tonë. Duke pasur parasysh që Serbia vazhdon të jetë aleate e palëkundur e Rusisë, përmes këtij sulmi terrorist ajo ka tentuar ta kopjojë skenarin e Donbasit në Ukrainë. Falë profesionalizmit të institucioneve tona të sigurisë, veçanërisht të Policisë së Kosovës, ky skenar ka dështuar të realizohet, dhe është mbrojtur popullata civile që në mëngjesin e 24 shtatorit është gjendur e rrethuar nga këta terroristë e kriminelë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se Serbia në vazhdimësi po kërcënon ushtarakisht Kosovën.
“Serbia në vazhdimësi kërcënon ushtarakisht Republikën e Kosovës, deri në faktin që renditë artilerinë e saj ushtarake rreth kufirit tonë. Për më tepër, ajo ka ndërtuar 48 baza të përparme apo ofensive, 28 ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë, rreth kufirit tonë. Këtë e ka bërë përgjatë vijës sonë kufitare e cila është 381 kilometra e gjatë, dhe paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e vendit tonë. Veprimet e rrezikshme të Serbisë, aspiratat e saj territoriale ndaj Republikës së Kosovës, dhe luftimi i shtetësisë sonë me të gjitha mekanizmat e mundshëm, e minojnë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe jo vetëm”, u shpreh Kurti.