Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Kramon, tha sot se durimi i anëtarëve të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë është “shuar gradualisht” dhe se masat kufizuese janë të mundshme për lidershipin, jo qytetarët, nëse ajo nuk bashkëpunon në hetimin e ngjarjeve në Banjskë.
Parlamenti Evropian sot duhet të votojë “Rezolutën për zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat në veri të Kosovës”, me propozimin e socialdemokratëve nga PE.
Sipas drafteve të zbuluara të asaj rezolute, ajo përmend masat kufizuese ndaj Serbisë dhe kërkon ekstradimin e Milan Radoiçiqit në Kosovë, gjë që Von Kramon e konfirmoi në emisionin në N1.
Ajo përsëriti se BE-ja nuk dëshiron t’i ndëshkojë qytetarët e Serbisë, se duhet bërë dallim dhe se masat janë shprehimisht kundër lidershipit.
“Dhe kjo do të thotë në rast se nëse nuk ka bashkëpunim, hetimi nuk do të jetë transparent dhe ata që ne mendojmë se nuk duhet të ndiqen penalisht. Mund të ndodhë që të mos ketë më takime me zyrtarë të lartë, financimi për infrastrukturën të jetë shkurtuar, ose mund të ketë efekt në negociatat lidhur me anëtarësimin në BE”, tha ajo.
Ajo gjithashtu theksoi se nuk mund të parashikojë votimin e rezolutës, por nuk pret shumë vota kundër.
Ajo tha se u beson institucioneve të Kosovës dhe se ato janë përgjegjëse për qytetarët e Kosovës, dhe në pyetjen e gazetarit se si Serbia do ta ekstradonte Radoiçiqin për shkak se nuk e njeh Kosovën, Von Kramon tha se “Serbia u pajtua pjesërisht” dhe se serbët ishin pjesë të atyre institucioneve
Ajo shtoi se institucionet serbe janë nën ndikimin e qeverisë dhe se do të bëjnë pjesën e tyre nëse ka vullnet politik.
“Unë mund të imagjinoj se shumë vende anëtare do ta mbështesin këtë rezolutë.” Me sa di unë nga Komisioni është duke përgatitur masa kufizuese në rast se nuk ka bashkëpunim të plotë nga Serbia në lidhje me hetimin, Komisioni e di që në një moment duhet të reagojë, deri tani kanë qenë mjaft tolerantë dhe ata duhet ta pranoj se kjo mënyrë e bashkëpunimit deri më tani nuk funksiononte”, tha ajo.
Ajo shtoi se masat kufizuese të BE-së do të kishin pasoja për reputacionin e Aleksandar Vuçiqit.
“Vuçiq është kryesisht i varur nga paratë që vijnë nga BE. Legjitimiteti i tij politik nuk është vetëm Kina dhe Rusia, por edhe integrimi më i afërt i Serbisë dhe BE-së. Nëse do të ketë masa kufizuese, sigurisht që do të kishte pasoja për reputacionin e tij. Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve, ndoshta anulimi i fondeve do t’i zvogëlonte hapësirën e manovrimit për të udhëhequr projekte të caktuara dhe kjo mund të zvogëlojë fuqinë dhe reputacionin e tij në frontin e brendshëm”, shtoi ajo.
Ajo tha se trazirat në Banjska ishin një tronditje e madhe për të gjithë në BE dhe se shumë anëtarë ishin “jashtëzakonisht të shqetësuar” dhe se përveç shumë konflikteve dhe luftërave në botë, Bashkimi nuk dëshiron një destabilizim tjetër në fqinjësi dhe bëri thirrje Beogradi për të bashkëpunuar.
“Ne besojmë se veriu i Kosovës duhet të bëhet një vend paqësor për të jetuar”, tha Von Kramon.